Myrto Uzuni shpreson të shënojë sot dhe të ketë rritje … rroge!

Sonte do të ketë një tjetër ndeshje, ndërsa priten të reja. Myrto Uzuni është çështja kryesore në klubin e Granadës në Ligën e Dytë të Spanjës, që ka nisur bisedimet për rinovimin e kontratës. Mediat spanjolle shkruajnë se të dyja palët kanë dëshirë që kjo të ndodhë, ndërsa duhet të ketë akord edhe në aspektin financiar. Sulmuesi i kombëtares shqiptare fiton rreth 900 000 euro në sezon, ndërsa këtë vit mund të shtojë edhe të paktën 100 000 euro të tjera sepse po shënon shumë gola. Kontrata e sulmuesit kuqezi vlen deri në vitin 2025, por klubi spanjoll kërkon të sigurohet për ta pasur sa më gjatë, ndërsa niveli i tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve të tjerë.

Uzuni është shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Spanjës me 8 gola në 9 ndeshje, ndërsa ka shërbyer edhe asistë si dhe ka fituar penallti. Futbollisti 26-vjeçar i lindur në Berat vlerësohet si lojtari numër 1 i kampionatit deri tani këtë sezon, ndërsa ka kartonin e tretë më të shtrenjtë. Granada luan sonte në orën 21:00 ndeshjen e radhës në fushën e Tenerifes dhe synon fitoren për të qenë pranë kreut. Shpresa është që Uzuni të shënojë sërish.

Sfidanti.al