Liverpuli është “i plagosur”, por Guardiola ia ka ende frikën!

Po përgatiten me kokën ulur duke e ditur se çfarë rivali do të kenë përballë. Futbollistët e Liverpulit i kanë zhgënjyer shumë tifozët këtë vit, duke qenë 14 pikë prapa kreut të Premier Ligës, ndërsa në stadiumin “Anfild” këtë të diel vjen Mançester Siti. Kampionët duken në një nivel tjetër, ndërsa të kuqtë kanë humbur shumë pikë, ndonëse bënë një “autokritikë” në Champions duke fituar 7-1 në Skoci ndaj Rejnxhërsit. Po ashtu, jep shpresë fakti se në duelet direkte, Liverpuli shpesh ia ka dalë me Sitin, siç e tregoi finalja e Superkupës së Anglisë, fituar 3-1. Trajneri Klop ka shqetësime të mëdha pasi dëmtimet janë të shumta me 6 lojtarë që nuk mund të jenë të gatshëm. Ai u ngacmua nga gazetarët nëse kjo sfidë është përcaktuese për titull.

“A mund të tillë këtë vit?, – tha gjermani duke qeshur, – le të shpresojmë. Kjo ndeshje kërkon përqëndrimin maksimal, kërkon që të luash në nivelin më të lartë të futbollit. Është kënaqësi të përgatitesh për këtë sfidë, por është sfida më e madhe që mund të kesh në futboll”.

Mançester Siti, ndërkaq, cilësohet si favorit për titullin në Angli, edhe pse Premier Ligën e kryeson Arsenali. Kampionët kanë në sulm Erling Halandin, që ka shënuar 15 gola në vetëm 9 ndeshje, duke e treguar formën e tij të madhe edhe në derbin ndaj Mançester Junajtidit të fituar 6-3. Gjithsesi, trajneri Pep Guardiola, refuzoi ta përjashtonte Liverpulin si rival.

“Ata e dinë se çfarë cilësie kemi ne, – tha Pepi, – por, po ashtu ne e dimë sesa i fortë është Liverpuli. Nuk mund të themi se Liverpuli është jashtë garës për titull, sepse jemi ende në tetor. Kjo mund të thuhej vetëm në 10 javët e fundit. Ende nuk është luajtur Kupa e Botës. Gjithçka mund të ndodhë”. Mançester Siti është në vendin e dytë në renditje me 23 pikë, vetëm 1 pikë më pak se Arsenali, ndërsa Liverpuli është prapa me vetëm 10 pikë.

Sfidanti.al