Shkodran Mustafi ndihmoi Arsenalin të shmangte humbjen ndaj Mançester Sitit në “Emirejts”, dhe trajnerin Arsen Venger që të largonte pak krizën nga vetja në vazhdën e një sezoni të tmerrshëm. Përfundoi 2-2 sfida e shkëlqyer në Londër, ku skuadra e Guardiolës ishte dy herë në epërsi, por nuk mundi të fitonte, ndërsa të dyja skuadrat i prishën punë vetes. Sane shënoi të parin, pastaj Ualkot barazoi, ndërsa Aguero nuk priti më shumë se 91 sekonda për të kthyer “qytetarët” në avantazh. Rezultati përfundimtar u fiksua nga mbrojtësi i Gjermanisë, me origjinë shqiptare, në minutën e 52-të.
I bukur komenti i mediave britanike pas ndeshjes. “Nuk mund të mos rrish pa paguar që të shikosh një ndeshje mes Arsenalit dhe Man. Sitit, – shkruhej, – por, nuk mund të rrezikosh të vendosësh qoftë edhe një stërlinë që njëra prej këtyre skuadrave do të fitojë titullin”. Barazimi bëri që Çelsi ta ndjente më pak disfatën me Kristal Palasin, dhe që sfidanti i vetëm i djemve të Kontes të mbetet Totenhemi. Po ashtu, ishte një lajm i mirë për Liverpulin, që ende nuk është i sigurt për kualifikim në Champions, veçse i ka rivalë që të dy, Arsenalin dhe Sitin, ndaj nuk donte që ndonjëri prej tyre të fitonte.
Mustafi dhe Xhaka ishin në formacion, me shqiptarin e Zvicrës që e mori të verdhin që e ka për “pjesë”, por i zverdhur doli edhe kampioni i botës. Siti, gjithsesi, luajti më mirë dhe Aguero pati fatin e keq që të humbiste dy raste të pastër në pjesën e dytë, që mund t’i kishin dhënë fitoren ekipit të tij.
Sfidanti.al