Partizani me pikë , Skënderbeu me lot! “Demat” kanë arritur “orgazmën” e ndeshjes tek goli i çmendur i Bathës, një goditje gjeniale që zbuloi edhe njëherë se është artizan i golave të pashijuar, por edhe kjo nuk mjafton që kampionët të binden për humbjen…madje kontrollojnë edhe xhepat! Presidenti Takaj, duke u larguar nga stadiumi “Selman Stërmasi” ka bërë një deklaratë blic: “ A mund të fitohet kampionati nga një ekip që luan kaq shumë në mbrojtje?”. Në futboll, i dashur president, ka shumë rrugë që të çojnë tek fitorja , edhe pse do të donim që për respekt të publikut.. të mbijetonte vetëm rruga e spektaklit. Ajo që ndodhi këtë herë, nuk ishte e bukur për t’u parë, ngaqë ndeshja prodhoi më shumë xixa nga shkelmat sesa shkëlqim nga loja, veçse ishte e bukur për t’u dëgjuar. Skënderbeu, nga presidenti e deri tek futbollisti i fundit, kur gjykonin pas ndeshjes, kishin pamjen e atij njeriut që sapo i kishin vjedhur portofolin. Osmani , një veteran i garës, që e di fort mirë se qëllimi i madh është 3 pikëshi, shumë më pak vlen bukuria, ka thumbuar: “ E patë të gjithë. Ky është futbolli. Luajtëm ne dhe fituan ata..”. Fraza e bukur, e vertete, por nuk mjafton..
Po të kujtosh momente nga pjesa e dytë, nuk të besohet, madje nuk shpjegon me arsye të plotë frikën e madhe që pushtoi “demat”, duke u tërhequr në zemër të portës së Alban Hoxhës. Kjo duhet të kishte qënë dhurata më e madhe për kampionët, por ata kanë humbur sensin e ndëshkimit edhe pse krijuan disa raste. Të gjithë nuk janë të qetë, ngaqë loja e tyre nuk i merr më frytet si më parë, aq sa u duket se faji nuk është i tyre, po i kundërshtarit që ka bërë një “ndërtim” pa leje gjatë 90 minutëshit. Në një kampionat, që me prepotencë na ka mësuar që rrënjët e humbjes t’i gjejmë tek arbitri, tek kapriçiot e fatit, apo tek e keqja e sistemit, ankesa e kampionëve për qëndrimin e Partizanit në fushë, vlen të peshohet si një vlerë. Nuk ishim mësuar që rivalët për titull, në një ndeshje ku humbësi dhe fituesi mund të kishin këmbyer edhe vendet, të akuzonin stilin inferior, sa humbësit i dukej si “tradhëti” e fituesit. Kjo është tradhëtia më e bukur, midis tradhëtive që ofrojnë veset tona. ..
Sfidanti.al