Kush tha se Superliga shqiptare nuk nxjerr lojtarë të mirë? Natyrisht, me fushat ende një minus i madh, me dallaveret që në nivelet e moshave, dhe me edukimin e dobët që nga rrënja familjare, futbollistët tanë e kanë të vështirë të bëhen nivel europian, por ka edhe përjashtime. Ernest Muçi dhe Myrto Uzuni janë shembuj të qartë të atyre djemve që ia kanë vënë vetes synim që të ngjiten në skenën kryesore, dhe po e bëjnë në Champions.
Muçi shënoi për Legian e Varshavës në barazimin tepër të rëndësishëm në fushën e Dinamos së Zagrebit (1-1). Ai barazoi për polakët që janë favoritë tani për të kaluar në plej of, e për t’u kualifikuar për në fazën e grupeve, ndonëse rruga është ende e gjatë. Uzuni pati një rezultat edhe më të mirë, ndonëse nuk shënoi gol. Sulmuesi i kombëtares fitoi penalltinë për golin e dytë në fitoren 2-0 që Ferencvaroshi arriti në Budapest ndaj Sllavias së Pragës, një kundërshtari tepër të fortë.
Sfidanti.al