Mrekullia e Kristian Eriksenit, nga “buza e varrit” tek Mançester Junajtidi

“Djajtë e kuq” kishin dërguar vëzhgues në stadiumin e Vjenës për ta ndjekur ndeshjen e Danimarkës kundër Austrisë. Ata ishin aty për një lojtar të miqve, pikërisht për Kristian Eriksenin, i cili po kalon një jetë të dytë për momentin, dhe një karrierë gjithashtu të re. Afërsisht një vit më parë, futbollisti danez thuajse humbi jetën në fushën e lojës në ndeshjen e Euro 2020-ës ndaj Finlandës, dhe u duk se e kishte problem edhe thjesht që të ishte mirë me shëndet. Gjithsesi, pasi kaluan disa muaj dhe pasi nisi të stërvitej në Zvicër e tek Ajaksi, Erikseni bëri kthimin në futbollin profesionist me Brentfordin në Premier Ligën angleze. Tashmë, është thuajse lojtar i Mançester Junajtidit pasi trajneri Erik Ten Hag dëshiron ta bëjë përforcimin e tij të parë në ekip. Ten Hagu e ndoqi kur u stërvit tek Ajaksi dhe pati përshtypje shumë të mirë për danezin, që më parë luajti pikërisht për Ajaksin, Totenhemin dhe Interin.

Sfidanti.al