Milani u mposht në “San Siro” me rezultatin 1-3 nga Borussia Dortmund, duke minimizuar mundësitë për të vijuar aventurën në Ligën e Kampionëve edhe përtej fazës së grupeve. Me vetëm një ndeshje të mbetur, grupi kryesohet nga Dortmund me 10 pikë, që ka siguruar edhe kualifikimin, i ndjekur nga PSG me 7 pikë dhe Newcastle e Milan me nga 5 pikë. Dy të fundit do të përballen me njëra-tjetrën në ndeshjen e fundit më 13 dhjetor në Angli, megjithatë fitorja mund të mos u shërbejë kuqezinjve për t’u kualifikuar.
Kjo pasi PSG-së i mjafton një pikë në transfertëm ndaj Dortmundit për t’u kualifikuar matematikisht, në rast fitoreje të Milanit në Angli. Nga ana tjetër, fitorja e mundshme e Newcastle kërcënon jo pak PSG-në, që do të jetë e dënuar të triumfojë në “Signal Iduna Park” për t’u kualifikuar. Thënë ndryshe, kuqezinjtë e Piolit nuk e kanë më fatin në dorën e tyre, por do të shkojnë në Angli për të fituar, që të sigurojnë minimalisht pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Kjo pasi edhe me barazim në Angli, në Europa Leagus shkon Newcastle, që ka golavarazh më të mirë…
sfidanti.al