Milani do të donte t’i luante ndeshjet jashtë, por si i bëhet me Ibrën?!

Nëse do të jepeshin dy tituj kampion, njëri për sfidat në shtëpi dhe një për ato në fushat kundërshtare, atëherë këtë të dytin do at fitonte skuadra e Stefano Piolit. Milani arriti në fushën e Parmës suksesin e 13-të në 15 duele gjithsej jashtë “San Siro”, në të cilat ka pësuar vetëm një humbje, atë në fushën e Specias, dhe është ndalur vetëm në një barazim, 2-2 në “Marasi” ndaj Xhenoas. Nëse Pioli do të pyetej se ku do të donte t’i luante ndeshjte, ai do të thoshte padyshim “në udhëtim”. Do të ishte shumë e saktë sepse në shtëpi, kuqezinjtë kanë fituar vetëm 6 nga 15 ndeshjet e luajtura, kanë marrë 23 pikë nga 45 gjithsej dhe kanë pësuar 4 humbje, ato me Juventusin, Atalantën, Interin dhe Napolin, pra me kundërshtarët direktë për në Champions.

Problemi tjetër i madh i Milanit quhet Zllatan Ibrahimoviç, pasi suedezi mori kartonin e dytë të kuq të sezonit, pas atij në Kupë ndaj Interit. Ai u përjashtua pas një ore lojë sepse gjyqtari gjykoi se Ibra përdori fjalë ofenduese. Ndoshta mund të vijë një ndëshkim prej më shumë se një ndeshje, ndërsa milanezët do ta kenë të vështirë të luajnë pa të. Jo më kot ndaj Parmës krijoi dy golat e parë përpara se të përjashtohej. Rebiç në 8’ dhe Kesi në 44’ shënuan për miqtë, Galiolo shkurtoi shifrat në 66’ pasi Ibra kishte dalë, por Leao vulosi fitoren në 94’. Milani ka 63 pikë në 30 ndeshje, Interi ka 71 në 29, Juventusi 59 në 29.

Sfidanti.al