Është normale që në raste të tilla të dy trajnerët të kenë mendime diametralisht të kundërta, pasi secili i mëshon interesit të tij. Zinedin Zidan dhe Ronald Kuman nuk bënë përjashtim duke u përplasur në distancë për rastin e pretenduar për penallti nga Barcelona, në El Klasikon në “Di Stefano”. Zizu deklaroi se “secili mund të ketë mendimin e tij, por derisa gjyqtari nuk e dha, atëherë nuk ishte penallti”. Krejt i kundërt opinioni i Kumanit. “Përse e kemi VAR-in në Spanjë, – tha ai në formë pyetjeje, – gjithë bota e pa se ishte penallti e pastër, jemi shumë të pakënaqur me dy vendimet e gjyqtarit. Na e hodhën në këtë ndeshje. Gjithsesi, së pari duhet të them se në pjesën e parë nuk ishim mirë, as nuk sulmuam dhe as nuk u mbrojtëm”. Barcelona pretendoi një tjetër penallti, ndërsa pretendoi se te goli i parë i Realit pati faull në nisje të aksionit. Zidani u shpreh i kënaqur me lojën e ekipit të tij dhe e quajti fitoren të merituar, sidomos veçoi pjesën e parë. Në të vërtetë, Barcelona pati topin 67 për qind, pra Reali luajti ndeshjen klasike të kundërsulmit. Për penalltinë, “Marka” e Madridit theksoi se pati prekje ndaj Brejthuejtit, por nuk ishte në ekstrem, ndërsa “AS” po e Madridit deklaroi se penalltia duhej dhënë.
Sfidanti.al