Milani dhe Interi luajnë për jetë a vdekje, rrezikojnë eleminimin në Champions!

E qartë që nuk janë si dikur. Milani dhe Interi janë emra të mëdhenj në futbollin europian, por jo më kot e kanë nisur kaq keq sezonin në Champions, aq sa rrezikojnë eleminimin. Dy ekipet që kanë së bashku 10 Champions në histori, janë përkatësisht 14 dhe 11 vjet ma trofe, ndërsa sonte në orën 21:00 luajnë “për jetë a vdekje”. Milani është në fushën e Portos, në Portugali, pa asnjë pikë pas dy ndeshjeve të para të humbura ndaj Liverpulit e Atletikos së Madridit. Ibrahimoviç nuk do të jetë titullar, ndërsa Kesi e Rebiç nuk luajnë, ashtu si edhe portieri Menja, Bakajoko dhe Florenci. Sesa e rrezikshme është Porto mjafton të kujtojmë se vitin e kaluar eleminoi Juventusin.

“Do të kemi përballë një skuadër solide, mjaft të organizuar, – thotë trajneri Pioli, – me lojtarë cilësorë dhe të shpejtë në sulm. Porto është mësuar të luajë në Champions. Ndeshja ka shkallë të lartë vështirësie, një sfidë e vërtetë. Gjithsesi, mendoj se jemi gati, pavarësisht humbjeve. Nuk e mendojmë eleminim, kemi shanset tona”.

Interi është fare pak më mirë sesa Milani, sepse ka marrë të paktën 1 pikë, atë të barazimit 0-0 në fushën e Shahtarit, ndërsa pësoi tronditje në Serinë A me humbjen ndaj Lacios. Rreziku është i madh ndonëse luhet në “San Siro”, aty ku u pësua humbja me Realin. Sherifi i Tiraspolit, debutuesi në Champions, është surpriza deri tani me fitoret ndaj Shahtarit e sidomos në “Bernabeu” kundër Realit. Mesfushori Sensi mungon përsëri, por Lautaro Martinez, Vesino e Damfris kthehen në formacion.

“Sherifi nuk i ka fituar rastësisht dy ndeshje në Champions, – shprehet Inzagi, – ne kemi luajtur me Interin dhe Shahtarin dhe e dimë se janë shumë të fortë. Sherifi do të vijë këtu me entuziazëm. Duhet të japim maksimumin, të sulmojmë, por pa aventurë. Kjo është ndeshje vendimtare për rrugën tonë në Champions”. Sherifi ka mbërritur gjithsesi në Milano me synimin për të shkaktuar një tjetër të papritur të madhe.

Sfidanti.al