Milani dhe Interi, fitore me shije të ndryshme, mediat kritikojnë zikaltërit!

Emëruesin e patën të përbashkët. Dy skuadrat milaneze arritën fitore njëlloj të vështirë, edhe pse shijojnë ndryshe. Nëse Milani ishte jashtë fushe, dhe arriti të triumfonte edhe me 10 lojtarë në fushë, Interi vuajti jashtë mase në “San Siro” dhe pati fat. Kampionët e Italisë të trajnerit Stefano Pioli përballuan mungesa si Origi apo Rebiç, por sidomos përjashtimin me të kuq të Leaos dhe përballuan Sampdorian vendase edhe me 10 lojtarë gjithë pjesën e dytë.

“Ishim të detyruar të luanim pa Origin dhe Rebiç dhe kjo na e bëri më të vështirë, – tha Pioli, – sërish skuadra dha një paraqitje të mirë, me dëshirë dhe më shumë më tepër cilësi sesa në Champions. Mëkat që mbetëm me 10 vetë, por kjo ndodh në futboll. Meritë e lojtarëve të mi që besuan deri në fund. Ishte një fitore që e kërkuam dhe nuk u dorëzuam. Nuk do të jetë Leao ndaj Napolit, por do të luajnë të tjerë”.

“Kokë e Milanit, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, që interpretohet edhe “Milani në krye”, – Në momentin më të vështirë shfaqet Zhiru!”

“Torino nga ëndrra tek befasia, – shkruan “Tutosporti”, – Brozoviçi ndëshkon, dhe Interi arrin të ringrihet”.

Interi vërtet fitoi, por sërish nuk bindi aspak. Torino bëri çfarë deshi në “San Siro” dhe vetëm pritjet e portierit Handanoviç shpëtuan ekipin e trajnerit Simone Inzagi që mundi të fitonte me fat në minutën e parafundit, falë golit të Marcelo Brozoviçit. “Ishte një ndeshje e vështirë, dy ditë e gjysmë pas asaj ndaj Bajernit, – tha tekniku , – gjithsesi, u treguam shumë të zotë, të bashkuar. Ekipi vuajti dhe luajti si një trup i vetëm dhe ia dolëm. Luajtëm si kolektiv, edhe pse nuk e patëm të lehtë. Patëm një unitet dhe një vendosmëri për të cilën patëm nevojë. Kjo fitore besoj se do të na ndihmojë edhe moralisht”. Gjithsesi, nuk dihet nëse Interi do të shpëtohet gjithmonë nga individët, apo mungesa e lojës do ta ndëshkojë.

Sfidanti.al