Nuk është se fitojmë ndonjë gjë të madhe, por të paktën më mirë pak se asgjë. Elseid Hysaj pritet të kthehet në kombëtare, ndërsa e ka kaluar dëmtimin dhe po luan tek Lacio. Kapiteni i dytë i kuqezinjve shkëlqeu në sfidën e Ligës së Europës ndaj Fejënordit fituar 4-2 nga ekipi italian, ndërsa u la në stol për duelin e sotëm në Serinë A të Lacios ndaj Veronës. Gjithsesi, trajneri i përfaqësueses, Edi Reja, nuk është se fiton lojtarë të tjerë nga ata që ishin dëmtuar. Marash Kumbulla mbetet i dëmtuar që nga ndeshja ndaj Monzës, dhe pritet të kthehet për 15 ditë, gjë që nuk e ndihmon për të qenë gati për ndeshjet e kombëtares që nisin në 24 shtator në Izrael.
Edhe më e vështirë gjendja për Berat Gjimshitin që pritet të mungojë plot 40 ditë të tjera tek Atalanta, sërish në Serinë A. Mbrojtësi kuqesi pësoi dëmtim që në ndeshjen ndaj Milanit, dhe ndonëse riaftësimi vazhdon me sukses, sërish Gjimshiti nuk luan as për përfaqësuesen ndaj Izraelit dhe Islandës, dhe gjithashtu për shumë kohë për Atalantën. Së fundi, në kombëtare nuk do të jetë as Rej Manaj, pasi sulmuesi nuk do të rikuperohet në kohë. Futbollisti 26-vjeçar u dëmtua në ndeshjen e ligës së dytë në Angli, që Uatfordi e luajti ndaj Kuins Park Rejnxhërist, dhe sipas informacioneve koha e rikthimit është e papërcaktuar për shkak të dëmtimit në kofshë.
Sfidanti.al