Lionel Mesit iu deshën 315 minuta për t’i shënuar një gol Xhanluixhi Bufonit, në një distancë kohore që mund të jetë rekord negativ për superyllin argjentinas. Gjithsesi, kjo pritje nuk ka qenë aq torturuese për “pleshtin”, i cili ka fituar shumë trofe edhe ashtu, ndërsa golat në portën e italianit ishin shumë të ëmbël, një hakmarrje për dështimin e rëndë të Barcelonës sezonin e kaluar, gjithnjë në Champions.
Katalanasit e ringjallur treguan sërish se kriza e rëndë e largimit të papritur të Nejmarit, dhe e “luftës civile” në klub, jo vetëm kaq marrë fund, por duket se ia ka lënë vendin një tjetër epoke triumfesh. Suksesi në “Kamp Nou” ishte 3-0, po aq sa “Zonja e Vjetër” i mundi vjet në çerekfinale në Torino, rezultat që vulosi eleminimin e “blaugranëve”.
Pati edhe më shumë lajme të mira për Barçën, pasi treshja sulmuese MSN tashmë mund të quhet e zëvendësuar nga treshja e re, MSD, me Usman Dembelenë që ishte titullar, në krah të Mesit dhe Suarezit të kthyer nga dëmtimi. Trajneri Ernesto Valverde mund të jetë i kënaqur edhe me faktin se, ndonëse humbi klas me ikjen e Nejmarit, tani ekipi i tij ka fituar më shumë shpejtësi. Jo se braziliani nuk ishte i shpejtë, por Dembele dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Nelson Semedo, u dukën të jashtëzakonshëm si “plumba”. Media katalanasve nxitoi të theksonte se Semedo do të bëjë të harrohet Dani Alveshi.
Suksesi bëri që katalanasit të ngjiteshin menjëherë në krye të grupit të tyre D, me golaverazh më të mirë sesa Sportingu, ndërsa mbrëmja ishte e gjitha me gola për skuadrat e mëdha.Edhe Bajerni, Paris SG, Mançester Junajtidi dhe sidomos Çelsi shënuan si “ortek”, dhe vetëm Roma-Atletiko u mbyll 0-0.
Grupi A: Man. Junajtid-Bazel 3-0, Benfika-CSKA Moskë 1-2; Grupi B: Bajern-Anderleht 3-0, Sëlltik-Paris SG 0-5; Grupi C: Çelsi-Karabak 6-0, Roma-Atletiko Madrid 0-0; Grupi D: Barcelona-Juventus 3-0, Olimpiakos-Sporting Lisbonë 2-3.
Sfidanti.al