Mesi pa Mbapenë nuk ka “barut”, PSG shkon duke u dridhur drejt Madridit

Kilian Mbape e tregoi veten se është lojtari më përcaktues i Paris SG, madje këtë e bëri pa qenë fare në fushë. Sulmuesi 23-vjeçar mungoi në ndeshjen e kampionatit francez në fushën e Nisës, dhe kryesuesit e renditjes pësuan disfatë 0-1 edhe me titullarë ishin Lionel Mesi me Nejmarin. Argjentinasi u duk si “peshku pa ujë” e besohet sepse asistet e tij mund të jepen vetëm kur ka lojtarë që dinë të shënojnë, siç është Mbapeja. Humbja nuk është se i prishi shumë punë PSG-së në renditjen e Ligës së Parë pasi diferenca me vendin e dytë (që e ka Nisa) është 13 pikë. Praktikisht, të besuarit e trajnerit Poçetino janë kampionë, por problemi është se çfarë niveli do të tregojnë në ndeshjen deri tani më vendimtare të sezonit, atë në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit në Champions. Në Francë, PSG fitoi 1-0, por diferenca është shumë e vogël dhe Reali duket në formë. “Ne duhet t’i përshtatemi kundërshtarit, – kritikoi Poçetino të vetët, – gjithsesi kjo ndeshje nuk ka asnjë lidhje me atë që do të luhet në Madrid”.

Sfidanti.al