Mesi numri 1, por Barça e lumtur dhe për Dembelenë e Kutinjon

“Kur mendon se Lionel Mesi e ka treguar gjithë repertorin e tij, ai gjen diçka tjetër për të të habitur”. Kështu shkroi gazeta britanike, “Deili Meil” në nisje të artikullit të saj për fitoren 6-1 të Barcelonës ndaj Gironës në kampionatin spanjoll. E vërteta mbetet e vërtetë, dhe gjeniu shtatshkurtër prodhoi një gol “solo” pra individual, dhe një me goditje dënimi tokazi, “alla Ronaldinjo”.

Ishte ndeshja kur Leo iu përgjigj 2 golave të Kristiano Ronaldos ndaj Alaveshit, por edhe kur Luis Suarez shënoi 3 herë, duke qenë pranë shokut të tij të skuadrës në renditjen e goleadorëve të La Ligës. Ja renditja pas javës së 25-të: Mesi 22 gola, Suarez 20, Iago Aspas (Selta) 16, Ronaldo 14.

Ndaj Gironës ishte ndeshja e radhës që ruajti pathyeshmërinë e Barcelonës pas 25 javësh në kampionat, me 20 fitore e 5 barazime, si dhe me 68 gola të shënuar, duke u shkëputur përsëri nga Realit (me 62 gola).

Së fundi, por jo për nga rëndësia, trajneri Valverde dhe tifozët u ndjenë të lumtur për faktin se dy lojtarët tepër të shtrenjtë, të marrë këtë edicion, po nisin më në fund të përshtaten. Dembele u duk pjesë e skuadrës dhe shërbeu edhe asist për Suarezin, ndërsa Kutinjo dirigjoi lojën jo pak, sidomos në pjesën e dytë, duke shënuar edhe golin më të bukur të mbrëmjes.

Sfidanti.al