Nëse do të mësohen të gjitha, besohet do të kuptohet se përse Lionel Mesi ngurroi shumë përpara sesa të rinovonte kontratën, dhe përse Nejmar vendosi që të largohej. Dy momente të rëndësishëm, njëri pas tjetrit, dhe përshëndetja e ngrohtë e argjentinasit për brazilianin, tregojnë qartë se tek Barcelona ka një krizë që nuk i përket skuadrës. Ah, të mos harrojmë largimin e trajnerit Luis Enrike, njeriut që riktheun Barçën e Guardiolës duke fituar tripletën në 2015.
Përse iku Luis Enrike? Përse ngurroi Mesi? Përse iku Nejmar? Ka shumë pikëpyetje, të cilat mund të marrin një përgjigje të saktë vetëm me fjalët: Krizë institucionale. Drejtuesit e klubit “blaugrana” po cilësohen si fajtorët kryesorë të kësaj që ndodh, sidomos pas humbjes turpëruese ndaj Realit në Superkupë.
Gjithçka filloi pas largimit të Zhoan Laportës, presidentit karizmatik që solli Guardiolën, ndërsa ata që erdhën më pas, Rosell e Bartomeu. i pari rrezikon burgun, ndërsa i dyti po ashtu është i rrethuar nga skandalet. Sportivisht, ata akuzohen se “fjetën gjumë”, ndërsa menduan se për të fituar në fushë mjaftonte Mesi, ndërsa si zëdhënës të ishte Pike, si identitet i klubit. Ky është opinion i gazetarit të “Markës”, Roberto Palomar, në rubrikën e tij “Nuk më pëlqejnë të hënat”.
Dikur ishte Florentino Perez që vihej në lojë e tallej për politikën e tij “Zidanët dhe Pavonët”, dhe për projektin e sforcuar të “galaktikëve”. Perez mësoi dhe u mor vetëm me biznesin e Realit, ndërsa politikën e lojtarëve ua la trajnerëve si Murinjo, Ançeloti apo tani Zidan. E kundërta tek Barça. Shqetësimi më i madh është se diferenca sot duket shumë e madhe, me ikjen e Ksavit, perëndimin e Iniestës, Pikesë deri edhe Busketsit, dhe me moshën 30-vjeçare të Mesit.
Në “gjysmën tjetër të fushës”, Zidan ka në dispozicion aq shumë yje sa nuk janë bërë ndonjëherë bashkë në një skuadër futbolli: Kejlor Navas, Marselo, Karvahal, Ramos, Varan, Kovaçiç, Modriç, Kros, Kasemiro, Isko, Ronaldo, Benzema apo Bejl, e ndoshta pritet edhe Kilian Mbape.
Sfidanti.al