Bashkia e Milanos miraton projektvendimin për shitjen e ‘San Siros’ Interit dhe Milanit

Komuna e Milanos ka miratuar zyrtarisht projektvendimin për shitjen e stadiumit “San Siro” dhe zonave përreth dy klubeve të qytetit, Inter dhe Milan. Dokumenti, i përgatitur në 159 faqe që përfshin edhe planimetritë, do të kalojë për diskutim në komisionet e posaçme duke nisur nga e premtja dhe pritet të shqyrtohet në Këshillin Bashkiak javën e ardhshme. “Ju konfirmoj se është shqyrtuar pozitivisht ky propozim, i cili tani do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak”, u shpreh zëvendëskryetarja e bashkisë dhe përgjegjësja për Urbanistikën, Anna Scavuzzo, në një konferencë për shtyp. “Do të ketë një sërë komisionesh të dedikuara për të hyrë në detajet e vendimit”.

Megjithatë, brenda shumicës së qendrës së majtë në Këshillin Bashkiak ka tashmë figura që janë shprehur kundër, sidomos për faktin se projekti parashikon prishjen e pjesës më të madhe të impiantit aktual, duke ruajtur vetëm disa elementë simbolikë. Në vend të tij, klubet synojnë të ndërtojnë një stadium të ri modern në afërsi, si dhe të përfitojnë nga të drejtat e ndërtimit të parashikuara nga ligji për stadiumet dhe nga marrëveshja me bashkinë. “Ka qenë një punë e gjatë dhe e rëndësishme, ndaj dua të falënderoj gjithë Këshillin që na ka dhënë kuadrin për të ndërtuar këtë propozim gjatë këtyre viteve”, shtoi Scavuzzo.

sfidanti.al