Ish-futbollisti italian dënohet me burgim të përjetshëm

Giovanni Padovani, 28-vjeçar, ish-futbollist dhe model italian, është dënuar me burgim të përjetshëm pas konfirmimit të vendimit nga Gjykata e Lartë e Kasacionit në Itali, për vrasjen brutale të ish-partneres së tij, Alessandra Matteuzzi. Ngjarja tragjike ndodhi më 23 gusht 2022 në Bolonja. Padovani e priti 56-vjeçaren jashtë banesës së saj dhe e sulmoi fillimisht me grushte dhe shqelma, për të vazhduar më pas me goditje me çekiç, duke i marrë jetën. Vrasja e Matteuzzi tronditi opinionin publik dhe rihapi debatet për dhunën ndaj grave nga ish-partnerët, një fenomen shqetësues në shoqërinë italiane. Avokatët e familjes së viktimës, Chiara Rinaldi dhe Antonio Petroncini, reaguan menjëherë pas vendimit, duke theksuar se drejtësia është realizuar: “Alessandra më në fund ka marrë drejtësi. Padovani është një vrasës dhe përndjekës, një njeri me qëllime të errëta, i cili kontrollonte dhe posedonte viktimën deri në momentin fatal.” Në një mesazh emocional, avokatët shtuan: “Në këtë mbrëmje të vonë shtatori, duke menduar për ‘Sandra’-n, nuk mund të mos besosh se ajo është atje diku, e lirë dhe e lumtur, duke kujtuar momentet e thjeshta me qenin e saj, Venny.” Rasti i Alessandra Matteuzzi ka rikthyer në vëmendje nevojën për masa më të rrepta ligjore dhe mbrojtje më të fuqishme për gratë që përballen me dhunë ose përndjekje nga ish-partnerët. Pavarësisht paralajmërimeve të mëparshme dhe ankesa të viktimës, sistemi nuk arriti ta mbrojë në kohë, duke lejuar që agresori të shfaroste jetën e saj.

sfidanti.al