“Zoti i futbollit” është edhe më afër barazimit të legjendës Diego Armando Maradona. Lionel Mesi u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Katar, edhe pse u desh një dramë e vërtetë, më e madhe ndoshta sesa ajo e Kroacisë me Brazilin. Edhe pse “gauçosit” kryesuan 2-0 me golin e shënuar nga Molina (asist i Mesit) dhe pastaj nga Mesi me penallti, sërish historia e çerekfinales me Holandën nuk kishte përfunduar. Veghorst shënoi dy gola, në 83’ dhe pastaj në minutën e 11-të shtesë për të siguruar 30 minuta suplementare në mënyrë krejt të pamenduar.
Gjithsesi, Argjentina e meritoi edhe sepse kishte në përbërje Mesin, por gjithashtu portierin Emiliano “Emi” (apo Dudu) Martinez. Ky priti dy penallti (njërën të Van Dajkut) dhe kjo ndihmoi kampionët e Amerikës së Jugut që të kualifikoheshin me shifrat 4-3 me 11-metërsha. Argjentina ishte ekipi më i rrezikshëm në fushë për 120 minuta, me 10 gjuajtje (4 Holanda) dhe 5 në kuadrat (2), po ashtu pati kornet 8-2, ndonëse “tulipanët” e mbajtën topin pak më shumë, 53 për qind. Këtë të shtunë do të jenë çerekfinalet e tjera, Marok-Portugali (16:00) dhe Angli-Francë (20:00), ndërsa të martën në 20:00 do të luhet gjysmëfinalja e Botërorit Argjentinë-Kroaci.
Sfidanti.al