Një hakmarrje sado e vogël ndaj Atletikut të Bilbaos për humbjen në finalen e Superkupës së Spanjës. Barcelona triumfoi 2-1 në “Kamp Nou” në La Liga, dhe Lionel Mesi ishte protagonist me një gol me goditje dënimi. Po ashtu, krijoi rreziqe të tjera, “fërkoi” shtyllën me një gjuajtje dhe shërbeu për një gol të sigurt që e humbi Zhordi Alba.
Mesi shënoi në minutën e 20-të, një autogol i Zhordi Albës barazoi shifrat në 49’, por Antuan Grizman i dha fitoren katalanasve në 74’. Argjentinasi ka 12 gola në kampionat këtë sezon në 18 ndeshje, 16 në gjithë edicionin (24 takime), ndërsa arriti në kuotën e 650 golave me fanelën “blaugrana” në të gjithë karrierën me 755 ndeshje të luajtura. Bashkë me golat për Argjentinën është në kuotën 721, jo shumë larg Kristiano Ronaldos apo Bicanit.
Thuhet se kapiteni është i tërbuar nga inati që është publikuar kontrata me katalanasit, madje shkruhet se ia ka vënë fajin klubit dhe është betuar të largohet, por për momentin po luan e po ndihmon fitoret. Me këtë sukses, Barça mbërriti Realin e vendit të dytë në kuotën e 40 pikëve, duke pasur golaverazh më të mirë, por bilanc më të keq në ndeshjet direkte. Atletiko e Madridit vazhdon të udhëheqë bindshëm me 50 pikë, por me një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa golaverazhin e ka më të mirë dhe ka shënuar thuajse po aq gola sa Barcelona, 40 ndaj 41.
Sfidanti.al