Misioni i tij drejt Veriut ishte mbijetesa, dhe dalë nga dalë po ia del. Mërgim Mavraj mund të ndihet krenar për atë që po bën me fanelën e famshme të Hamburgut, një bluzë që këtë sezon rrezikonte të përdhosej keq. Tani, duket se nuk do të turpërohet.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u kthye nga dëmtimi dhe ishte titullar në një përballje të veçantë, pasi Hamburgu luajti në fushën e tij kundër Këlnit. Pra, Mavraj ishte kundër të kaluarës, sy më sy me ekipin të cilit ai i shërbeu aq mirë, dhe që e bëri edhe më të njohur në Bundesligë.
Përfundoi 2-1 për Hamburgun e Mavrajt që u ngjit në kuotën e 30 pikëve, një pikë mbi zonën që të rrezikon, ndërsa duhen edhe 8 javë deri në përfundim të kampionatit. Hamburgu është në vendin e 13-të, në një renditje të ngjeshur dhe rreziku mbetet i pranishëm.
Fituesi tjetër i javës në Bundesligë ishte Bajerni. Bavarezët dërrmuan 6-0 Augsburgun në Mynih dhe Robert Levandovski shënoi 3 gola dhe u barazua me Pjer-Emerik Obamejangun e Dortmundit në krye të renditjes së shënuesve. Të dy sulmuesit kanë realizuar nga 24 gola. Rrjetat e tjera për skuadrën e Karlo Ançelotit u shënuan nga Tomas Myler (dy herë) dhe Tiago Alkantara.
Rezultatet: Bajern-Augsburg 6-0, Hamburg-Këln 2-1, Lajpcig-Darmshtat 4-0, Shalke-Dortmund 1-1, Frajburg-Verder 2-5. Renditja: Bajern 65, Lajpcig 52, Hofenhajm 48, Dortmund 47, Herta 40 etj.