Me Osimhenin është Napoli i rekordeve, edhe kur të bën me zemër!

Padyshim tifozët në stadiumin “Maradona” patën ndjenja të përziera në fund të sfidës së djeshme të Serisë A. Napoli i tyre i zemrës fitoi, vendosi rekord dhe pati një lojtar në formë të madhe si Viktor Osimhen, por gjithsesi thuajse shpërdoroi gjithçka. Epërsia 3-0 e arritur shpejt me golat e Osimhenit, Zielinskit dhe Elmasit u kërcënua në pak minuta kur Nestorovski dhe Samarxhiç ngushtuan shifrat për Udinezen në një fund për “infarkt”. Gjithsesi, Napoli ia doli duke treguar se është një skuadër e madhe, pasi vetëm një e tillë fiton edhe në kushte të vështira dhe mban lart ritmin e sukseve. Napolitanët kanë 11 fitore radhazi në Serinë A, një rekord për ekipin, dhe kanë 11 pikë epërsi ndaj rivalëve në pritje të ndeshjeve të Lacios, Milanit e Juventusit. Osimheni ka 7 gola në 6 ndeshjet e fundit të kampionatit, duke qenë një “armë e fuqishme” për trajnerin Luçiano Spaleti.

Sfidanti.al