Kur të do edhe paraja! Nga ndeshjet në Arabi, tek Italia që “shet bileta”

Kjo mund të quhet një magji kuqezi : Kombëtarja pasi luajti dy ndeshje me stadiume të boshatisur dhe me “gjuhë të prerë” ngaqë nuk u trasmetuan në TV, me Arabinë Saudite dhe me Katarin, po bëhet gati të luajë në “anormalitet”…me tifozë në stadium ndaj Italisë! Cili ekip tjetër në këtë planet futbolli , mund të tjetersohet sa hap e mbyll sytë : luan dy ndeshje pa jetë dhe pa këmbë njeriu, më pas ,sapo vjen ndeshja miqësore me Italianë, harbon nga çmimi i biletës i cili kërcen deri në 20 mijë të reja!

Sidoqoftë, kjo Kombëtare, nëse ka vazhdimësi në një lojë jashtë fushe , kjo është loja me çmimet e biletave. Pasi u dorovitëm nga sheikët e Arabisë dhe Katarit, erdhi momenti fatlum me Italinë, një moment që ngjall oreksin e baballarëve të vjetër për të shitur bileta kacafiu. Pale sikur të ishte edhe në Botëror kjo Italia, si do të kërcenin biletat për shtatë palë qejfe..

I pamë apo na panë ndeshjet me Arabinë Saudite dhe Katarin, veçse në fund të këtyre ndeshjeve u dëgjua ofshama zyrtare “rrofshin sheikët”. Se fundja s’janë pak 1 milion apo 1,2 milion dollarë në dy ndeshje. Edhe kjo ndeshja me Italinë, zëre se luhet në tokën e “arabëve”, nëse gjykon se sa do të fitohet nga një miqësore që po shitet gati si një ndeshje vitrine. Pale kur u shkoi mendja diabolike që të bashkonin biletat e Italisë dhe ndeshjes me Armeninë, që të shiteshin njëherësh, pasi këtë të dytën e kemi “parë njëherë” kur shkuam në Europian…

Hallall që e mbajmë të mbyllur me dryn sekret “shtëpinë e futbollit” ,atë që quhet “Air Albania”, sepse kur vjen një mik si Italia, e kupton edhe më mirë se Shtëpia, jo vetem nuk është jona, por e pronarëve makut, që edhe futbollin e lirë e shesin me të shtrenjtë…

Sfidanti.al