Reali i Madridit nuk pati asnjë problem në ndeshjen me Alaveshin, të cilën ai e fitoi 4-0, por, lidhur me këtë ndeshje, pati disa gjëra të tjera interesante… Ishte hera e parë, që nga prilli 2016, që Kristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Garet Bejli shënojnë gola në të njëjtën ndeshje. Golin e tretë në ndeshjen që u zhvillua në “Bernabe”, e shënoi Benzema, por interesant është fakti se është hera e parë që sulmuesi francez gjuan penallti, qëkur ai ka ardhur në klubin “mbretëror” në vitin 2009, pra, mbas nëntë sezonesh dhe 393 ndeshjesh të zhvilluara! Gjuajtja e penalltive te Reali, gjatë 10-vjeçarit të fundit, ka qenë “pronë” pothuajse e padiskutueshme e golashënuesit më të mirë, Kristiano Ronaldo.
Po ashtu, befasues është edhe fakti se është hera e parë që Ronaldo nuk gjuan penallti, ndërkohë që ai është në fushë, që nga viti 2010, kur topin nga “pika e bardhë” në portën e Atletikos së Bilbaos e gjuajti Serhio Ramos.
Sikurse duket, Ronaldo e “qerasi” Benzeman me penallti që t’i kthejë atij vetëbesimin, duke qenë se, që nga fillimi i sezonit, ai po kritikohet me forcë nga tifozët dhe mediumet, sidomos, për shkak të mungesës së efikasitetit. Me këtë gjest bujar, CR7-ta e shtyu tregolshin e 50-të jubilar në karrierën e tij, por arriti një shifër jubilare tjetër në këtë ndeshje, pasi ai u bë futbollisti i dytë në La Liga që ka shënuar 300 gola. I pari është Lionel Mesi!
Sfidanti.al