Ende nuk është në nivelin e një Lionel Mesi të kohëve të arta, as edhe të Kristiano Ronaldos së kulmeve, të tij, por gjithsesi nuk është larg. Kilian Mbape vazhdon një sezon krejt të veçantë duke dominuar në një ekip yjesh si Paris SG, ku ka në krah pikërisht Mesin si dhe Nejmarin. Në moshën 23-vjeçare, kampioni i botës po arrin majat, dhe ndihmoi sërish ekipin në një fitore në kampionat. Ai shënoi 2 herë dhe shërbeu një asist në suksesin 3-1 ndaj Sent Etienit në “Parkun e Princave”. Mbape ka 24 ndeshje, 14 gola dhe 10 asistë në Ligën e Parë, si dhe ka 34 ndeshje, 24 gola dhe 17 asistë në sezon. Në Champions, po ashtu ka qenë i shkëlqyer me 5 gola dhe 6 asistë në vetëm 7 ndeshje. Reali i Madridit po “fërkon duart”, sepse duket që sulmuesi me numrin 7 do të kalojë në “Santiago Bernabeu” sezonin që vjen.
Sfidanti.al