Mauricio Sarri: Doja ta mundja Juventusin, tani dua të fitoj Championsin me të!

Mbërriti një ditë më parë, dhe u nxitua të mos humbiste asnjë sekondë. Mauricio Sarri as që deshi të mendonte për kritikat napolitane që ai zgjodhi Juventusin, pasi në moshën 60-vjeçare nuk ka kohë për të shpërdoruar. Menjëherë kuptoi se në çfarë klubi të madh kishte mbërritur, ndërsa legjenda Pavel Nedved e shoqëroi në selinë juventinë, dhe i tregoi ambientet në “Alianc Stadium”. Pasi përfundoi vizitat me qetësi, ja edhe prezantimi.

“Jam i kënaqur që ndodhem këtu, – u shpreh ai, – Nuk mendoj se kjo është zgjedhja më revolucionare e karrierës sime, por jam në klubin më të fortë dhe më të organizuar të Italisë. Në Napoli dhashë gjithçka, por muajt e fundit logjika ime më thoshte se rruga ime atje ishte mbyllur. Shkova jashtë, sepse nuk doja që të kaloja menjëherë nga Napoli në një klub tjetër italian. Premier Liga ishte një përvojë shumë e bukur, por ndjeja nevojën që të kthehesha në Itali. Për momentin, për mua ka skepticizëm, ashtu si kudo. Tek Empoli shkova nga Seria C, tek Napoli nga Empoli, edhe tek Çelsi që të gjithë ishin skeptikë”.

Ishte e qartë se Sarri do të pyetej për konfliktet me Juven, kur ishte trajner në Napoli. “Jetova tre vjet tek Napoli duke u zgjuar në mëngjes gjithnjë me mendimin për të mundur Juventusin, – u tregua i sinqertë, ai, – Nuk ia dolëm, por do ta provoja përsëri nëse do të më jepej mundësia. Do ta bëja sërish. Tek Napoli i kam respektuar të gjithë, ndërsa kur të dal nga “San Paolo”, pas ndeshjes së parë atje, do të marr vesh nëse do të më japin vërshëllima dashurie apo brohoritje lumturie”.

Me ish-trajnerët Konte dhe Alegri, Juventusi fitoi 8 tituj radhazi në Itali, ndërsa për Sarrin synimi është Europa. “Championsi do të jetë mendimi im numër 1 këtu, duhet ta synojmë me vendosmëri maksimale, – u shpreh tekniku për “formulën” e tij, – Yjet që kemi, që nga Kristiano Ronaldo, Dibala apo Dagllas Kosta, do të na ndihmojmë të ndryshojmë historinë. Përsa i përket veshjes, me tuta apo me kostum, e rëndësishme në moshën time është që të mos jem lakuriq”. Sarri ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare tek Juventusi.

Sfidanti.al