Marota ka “melhem” për Interin: I kemi paratë për futbollistët

Duhet besuar edhe pse drejtuesit e futbollit janë si politikanët, që shpesh gënjejnë sepse nuk mund të thonë të vërtetën. Gjithsesi, Bepe Marota flet seriozisht dhe gati betohet e është gati të verë bast se Interi nuk ka probleme financiare më shumë sesa klubet e tjera, dhe se financat janë gjithsesi të garantuara. “Shpesh problemet tek ne zmadhohen kur diskutohen në media, – u shpreh administratori i deleguar, – ju siguroj se nuk kemi shqetësime më të mëdha se klubet e tjera, dhe se fondet financiare ekzistojnë. Lojtarët janë të garantuar për t’u paguar”.

Marota shton se vërtet pati një takim të presidentit Çang me lojtarët, dhe numri 1 i klubit me respektin më të madh thjesht hodhi një mendim për punën e pagave. “Presidenti nuk vuri asnjë detyrim, – tha ai, – çdo gjë është në dorë të ndërgjegjes së secilit, detyrimet kontraktuale do të respektohen. Thjesht, mund të themi se kjo gjendje ka sjellë vështirësi financiare kudo në futboll”. Lidhur me Konten, Marota thotë se klubi dhe ai vetë urojnë që trajneri të vazhdojë për të hapur një cikël, pasi në dy vjet u fitua një titull, u arrit një vend i dytë dhe një finale europiane.

Sfidanti.al