Partizani pranë fitores së derbit, por nuk ia del, finalen e ka në Durrës me Teutën!

Nëse kjo duhej të kishte qenë ndeshja vendimtare, parashikimi ishte i gabuar. Derbi Partizani-Tirana në “Arenën Air Albania”, përveçse i prishi punë të dyja skuadrave, e shtyu për më vonë momentin përcaktues të Superligës, të paktën deri në 17 maj. Barazimi 0-0 bëri që të kuqtë të mbeten tri pikë pas Teutës kryesuese kur ka edhe vetëm tri ndeshje për t’u luajtur, dhe me gjasë dueli në “Niko Dovana” i durrsakëve më Partizanin mund të jetë finalja e vërtetë.

Në “Arenë” u luajt fort, por me hope, me shumë gabime e me frikë nga humbja, ndërsa gjendja jo optimale e fushës së stadiumit më të mirë në Shqipëri, e me gjasë në Ballkan, iu përgjigj nivelit të futbollit të Superligës. Gjithsesi, raste pati dhe pjesa e parë ishte më e shpejtë dhe më e bukur sesa e dyta. Përtej pretendimeve të shpeshta të të dyja skuadrave për 11-metërsha, sidomos të Tiranës, gola nuk u shënuan.

Pas pushimit ishte e njëjta skenë, me ekipin e trajnerit Daja që e nisi më vrullshëm, dhe me skuadrën e teknikut Shehi që tregoi cilësinë e futbollisve dhe të lojës pas qetësimit të situatës. Gjithsesi, ishte Partizani ai që e deshi më shumë fitoren, i nxitur nga një objektiv kaq i madh sa titulli. Nëse për gati gjithë pjesën e dytë vuajti për të rrezikuar, vetëm në 5-6 minutat përfundimtare pati 4 momente ku mund të shënonte.

Nuk ia doli sepse nuk ishte aq i qartë në pasimet e fundit, dhe as Çinari, Asani, Kardozo apo Ferhan Hasani nuk e shtynë dot topin për në rrjetë. Pas 33 javësh, Partizani ka 58 pikë ndaj 61 të Teutës kryesuese, ndërsa Tirana 54, duke mbetur ende jashtë zonës së Europës.

Sfidanti.al