Jo Zhoze Murinjo, as Pol Pogba dhe as Uejn Runi. Këtë herë, Mançester Junajtidi europian e pati emrin Zllatan Ibrahimoviç. Skuadra e madhe angleze e respektoi statusin e saj si favorite e Ligës së Europës duke mposhtur 3-0 Sent Etienin në “Old Traford” dhe duke hedhur hap të sigurt drejt të tetave të finaleve. Sulmuesi suedez shënoi në minutat 15, 75 dhe 88 me penallti, duke qenë lojtari më i mirë i ndeshjes.
Tre gola edhe për Edin Xhekon, ndërsa Roma triumfoi edhe më thellë, 4-0, në Spanjë ndaj Vijarrealit të fortë. Një sukses që tregon se në çfarë gjendje është ekipi i drejtuar nga trajneri Luçiano Spaleti, në vendin e dytë në Serinë A. Golin e parë e realizoi Emerson Palmieri dhe pastaj erdhën tri rrjetat e sulmuesit boshnjak, golshënuesi më i mirë i kampionatit italian. Fitore e thellë jashtë fushe edhe për Shalken, me gjermanët që nuk patën asnjë problem në Selanik ndaj PAOK-ut, duke triumfuar 3-0. Ata që dërguan topin në rrjetë ishin Burgshtaler, Majer dhe Huntelar.
Baskët e Atletikut të Bilbaos nuk u ndanë shumë mirë edhe pse fituan. Në “San Mamesin” e ri ata mundën vetëm 3-2 APOEL-in e Limasolit nga Qipro. Efrem shënoi për miqtë, pastaj erdhi përmbysja me Merkisin (autogol), Adurizin dhe Uilliamsin, veçse në 89’, Janis Janiotas goditi për 2-3, dhe çështja e kualifikimit mbetet e hapur.
Anderlehti, ndërkaq, u duk si njëherë e një kohë në Europë, duke thyer 2-0 një rival të fortë si Zenitin e Shën Peterburgut. Açeampong shënoi dy golat që afrojnë belgët me kualifikimin. Thuajse i kualifikuar Beshiktashi i Stambollit që fitoi 3-1 në fushën e Hapoelit të Ber Shevës në Izrael, dhe së fundi Ajaksi është me më shumë shpresë sepse barazoi 0-0 në Poloni me Legian e Varshavës.
Sfidanti.al