Shpëtim Duro do të jetë trajneri i Flamurtarit deri në fund të sezonit. Një drekë “pune” në një restorant të kryeqytetit, mes specialistit tiranas dhe presidentit vlonjat, Sinan Idrizi, “kopsiti” marrëveshjen e radhës për stolin në Superligë. Ish-trajneri i Partizanit, Dinamos, Vllaznisë apo Shkëndisë së Tetovës, do të zëvendësojë Gentian Mezanin, trajnerin e përkohshëm që mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Gugash Maganit.
Duro do të prezantohet në orën 10:00 përpara skuadrës në Vlorë, ndërsa objektivi i vetëm i mbetur është që të mbajë skuadrën në Superligë, mundësisht duke sjellë edhe ngjitje të shkallëve në renditje. Gjithsesi, Duro e ka shumë të qartë se më shumë vështirësi sesa me skuadrat kundërshtare do të ketë me mënyrën sesi do të menaxhohet klubit vlonjat.
Flamurtari ka vërtet 20 pikë në renditje, por kjo vetëm sepse Federata i hoqi 6 pikë për moskorrektesë të klubit në pagesat me lojtarët. Nëse do t’i kishte këto pikë, Duro mund të luftonte për një vend në kupat e Europës, ndërsa tani frika është nëse ndodh tjetër krizë financiare dhe hiqen pikë të tjera, që mund të sjellin edhe rënien nga kategoria.
Sfidanti.al