Nuk mundi të shënonte në fitoren 3-0 që katalanasit arritën në fushën e Shtutgartit. Rej Manaj u aktivizua shumë vonë nga trajneri Ronald Kuman, që tashmë pati në lojë Memfis Depain dhe Antuan Grizmanin, si dhe shumë lojtarë të tjerë të rëndësishëm, por edhe në vetëm 12 minuta lojë e tregoi veten. Sulmuesi i kombëtares shqiptari pati një rast për të shënuar, por e gaboi “vetëm për vetëm”, ndërsa pjesa kryesore e lojës së tij ishte që bëri presion ndaj mbrojtjes gjermane pa u kursyer. Mundësia për të mbetur tek ekipi i parë i Barcelonës “e bën me krahë”. Barça fitoi 3-0 në “Mercedes Benz Arena”, në prani të 25 000 shikuesve, me gola të shënuar nga Memfis Depai në 20’, Demir në 35’ dhe Riki Puixh në 73’. Antuan Grizman këtë herë nuk shënoi, por dha dy asiste.
Sfidanti.al