“Herr” Nagelsman, ke 4 humbje radhazi tek Bajerni, dhe një 0-3 me Napolin!

Kritikat nuk do të vonojnë, siç ishte shumë i bukur “muaji i mjaltit”. Fakti që Julian Nagelsman ka qenë këta vjet i përzgjedhuri dhe bukuroshi i trajningut gjerman nuk do të luajë ndonjë rol të madh për ta mbrojtur nga sulmet nëse dështon. Edhe pse jemi në verë, sërish kur rreshton 4 humbje radhazi me një ekip të pamposhtshëm si Bajerni, nuk mund të mos shkaktojë tronditje. Disfata e katërt ishte më e rënda nga të gjitha, një 0-3 me Napolin në Kupën “AUDI”, madje duke pasur në fushë disa nga titullarët. Pavar, Gorecka, Gnabri, Musiala, Sane, Koman dhe Levandovski ishin në formacion, ndërsa mungesë mbeten Nojer, Kimih apo Tomas Myler. Napoli u tregua më lart dhe sulmuesi Viktor Osimhen shënoi dy gola. Çfarë po ndodh me bavarezët, që ishin mësuar të fitonin në seri me ish-trajnerin Hansi Fliks? Kjo do të kuptohet më vonë, por duket se ose Nagelsmani nuk po arrin të përshtatet, ose Bajerni po trashëgon problemet që pati vjet nga konflikti mes Hansi Flikut dhe Hasan Salihamixhiçit.

Sfidanti.al