Kur luan ndaj një kundërshtari të tillë gjithnjë duhet të bësh kujdes, por këtë herë skuadra angleze e pati. Mançester Junajtidi nuk dështoi ndaj Romës si Barcelona në 2018, dhe nuk rrezikoi aq shumë sa Liverpuli në 2019, duke u kualifikua me “terezi” në finalen e Ligës së Europës. Edhe pse italianët e treguan gjithë krenarinë e tyre duke mundur 3-2 një rival superior, sërish “djajtë e kuq” i patën shifrat e përgjithshme 8-5 falë fitores 6-2 në “Old Traford”.
Edinson Kavani ishte heroi me dy gola, ndërsa për përfaqësuesit e “Qytetit të Përjetshëm” shënuan në “Olimpiko”, Edin Xheko, Brajan Kristante dhe Nikola Zalevski. Pasi kaloi Sociedadin, Milanin, Granadën e tani Romën, skuadra e trajnerit Ole Gunard Solskjer mund të quhet favorite në finalen e Europa League-s përballë Vijarrealit që nuk lejoi një finale tërësisht angleze, ashtu si ajo e Championsit, duke eleminuar Arsenalin me barazimin 0-0 në Londër pasi kishte fituar 2-1 në Spanjë.
Man. Junajtid ka qenë një skuadër shumë e çuditshme këtë sezon, e aftë të mundë edhe Mançester Sitin në Premier Ligë, të eleminojë Liverpulin nga Kupa e Anglisë, të fitojë 2-1 në fushën e Paris SG dhe të shkatërrojë 5-0 Lajpcigun në fazën e grupeve në Champions. Por, edhe një ekip që të fitojë vetëm 9 nga 16 ndeshjet në shtëpi, madje duke humbur katër. Gjithsesi, Solskjer është i lumtur që arriti më në fund një finale, duke hedhur hapin e parë drejt lavdisë si dikur Mat Basbi në 1968 e Sër Aleks Fergusoni në 1991.
Roma: Mirante, Karsdorp, Smolling (Darbo 30’), Ibanjez, Peres (Santon 69’), Kristante, Mançini, Pedro (Zalevski 76’), Pelegrini, Mkitarian, Xheko (Majoral 76’). Tr. Fonseka
Mançester Junajtid: De Gea, Uan-Bisaka (Uilliams 46’), Beili, Megajer, Shou (Tejes 46’), Pogba (Matiç 64’), Fred, Grinvud, Fernandes (Mata 84’), Van de Bek, Kavani (Rashford 70’).
Sfidanti.al