Nuk do ta ketë të vështirë të kthehet në këto kulme. Marash Kumbulla ishte menjëherë një sukses për Romën, sapo firmosi për klubin e Serisë A, ndërsa potenciali i tij ka zgjuar interesim edhe në ishullin ku u shpik futbolli modern. Mançester Junajtid interesohet për shërbimet e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, siç raportojnë mediat britanike dhe ato italiane. Në “Old Traford” vlerësojnë faktin se Kumbulla është vetëm 21 vjeç, dhe se kartoni i tij është i pranueshëm. Objektivi kryesor i “djajve të kuq” mbetet Rafael Varan i Realit të Madridit, veçse kartoni i kampionit të botës nga Franca arrin në 70 milionë euro.
Shqiptari ka një karton prej 27 milionë eurosh, sipas “Transfermarktit”. Kumbulla ka luajtur 16 ndeshje në Serinë A duke shënuar një gol këtë sezon, por ka pasur probleme me dëmtimet dhe me Kovidin, që e kanë penguar. Një vit më parë, Kumbulla shkëlqeu për Veronën duke zgjuar interesimin e shumë klubeve, si Interit apo Juventusit, por përfundimisht zgjodhi Romën. Ai ka luajtur 4 ndeshje për kombëtaren shqiptare, ndërsa është aktivizuar më parë për ekipet përfaqësuese të moshave të Shqipërisë.
Sfidanti.al