Prag Liga e Europës, Junajtid-Roma është finalja e parakohshme në “Old Traford”!

Nuk dihet se çdo të jepte që të përsëritej sërish ky rezultat. Ole Gunar Solskjer nuk ishte në fushë në vitin 2007, kur Mançester Junajtidi i Fergusonit shkatërroi Romën 7-1 në Champions, veçse do ta donte me gjithë shpirt një sukses të tillë si dhe një finale. “Djajtë e kuq” të drejtuar nga trajneri norvegjez luajnë sonte pikërisht ndaj Romës në gjysmëfinalen e Ligës së Europës, dhe ish-sulmuesi shpreson të lerë pas mallkimin.

Junajtidi i Solskjerit është mundur pesë herë në gjysmëfinale, në Angli dhe në Europë, dhe është krijuar një kompleks. Gjithsesi, anglezët jepen favoritë për trofeun, pas sukseseve ndaj Sociedadit, Milanit e Granadës. Tek Junajtidi kthehen nga pezullimi Megajer, Shou dhe Mektominai, por Marsial e Xhons janë të dëmtuar.

“Do të ishte realizimi i një ëndrre nëse do të fitoja një trofe në këtë klub si trajner, – tha ai, – kjo do ta ndihmonte ekipin që të ngrihej shumë më lart. Ne duam diçka për të festuar. Motoja në këtë klub është ngritja hap pas hapi dhe shpresoj të jemi gati. Ndaj Romës pritet ndeshje e madhe, jam i bindur se nuk përfundon 0-0. Kemi besim se mund t’ia dalim”.

Entuziazmi në Romë është i madh. Tifozët kanë vërshuar në kompleksin stërvitor të Trigorias duke përcjellë me këngë e flakadanë skuadrën në udhëtimin drejt Anglisë. Kjo, një ditë pasi tifozët shkuan në Trigoria të ofenduar nga fjalët e Solskjerit se “nuk e njoh Romën, nuk e kam parë asnjëherë të luajë”, dhe u kërkuan lojtarëve që t’ia jepnin përgjigjen e duhur trajnerit norvegjez. Trajneri vendas, Fonseka, fton lojtarët t’i përgjigjen momentit.

“Do të luajmë ndaj një skuadre të madhe, me gjasë ndaj favorites për të fituar trofeun, – tha portugezi, – jemi përgatitur mirë, kemi marrë informacion nga lojtarët që kanë qenë tek Junajtidi. Ne kemi ambiciet tona dhe lojtarëve u kam thënë të shfrytëzojnë momentin, sepse nuk vihet shpesh në një gjysmëfinale europiane”.

Mbrojtësi shqiptar, Marash Kumbulla është në dispozicion pasi kaloi dëmtimin. Pedro, Zaniolo, Kalafiori mungojnë për shkak dëmtimi, dhe Mançini është i pezulluar. Roma ka pasur një ecuri të shkëlqyer në Europë këtë sezon, duke fituar grupin A, e duke kaluar Bragën, Shahtarin e Donjeckut dhe Ajaksin, me 9 fitore e vetëm 1 humbje, e duke shënuar 26 gola. Gjysmëfinalja tjetër e Ligës së Europës është mes Vijarrealit dhe Arsenalit.

Sfidanti.al