Liverpuli plas “bombën” në “Old Traford”, kapitullim i Man. Junajtidit!

Një turpërim i tillë nuk ishte menduar, ndonëse e kishin paralajmëruar se diçka e ngjashme mund të ndodhte. Legjenda e Mançester Junajtidit, Pol Skoulls, deklaroi pas fitores 3-2 ndaj Atalantës në Champions se pjesa e parë në “Old Traford” ishte një katastrofë, dhe se me një rival më të fortë përballë, mund të përfundonte shumë keq. Ky rival erdhi shpejt, ishte Liverpuli dhe përfundimi ishte edhe më keq sesa e parashikoi Skoullsi. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop fituan 5-0, me 4 gola që në pjesën e parë, me spektaklin e Mohamed Salahut, me Kristiano Ronaldon që nuk bëri dot gjë (iu anulua një gol i bukur për pozicion jashtë loje) dhe me tifozët që nisën të iknin nga “Old Trafordi” që pas pjesës së parë. Trajneri Solskjer rrezikon postin seriozisht, ndërsa Pol Pogba luajti vetëm 20’ në pjesën e dytë dhe u përjashtua me karton të kuq.

Nabi Keita shënoi golin e parë që në 5’, pastaj Diogo Zhota shtoi të dytin në 13’, ndërsa më pas erdhi radha e shfaqje së Salahut. Sulmuesi egjptian, ndoshta lojtari më në formë në botë për momentin, realizoi 3 gola radhazi, në minutat 38’, 45’+5 dhe 50’, pra në vetëm 17 minuta. Një prezantim i denjë për Mesin, Ronaldon apo Levandovskin më të mirë. Liverpuli ka 21 pikë, vetëm 1 pikë më pak sesa Çelsi që kryeson renditjen e Premier Ligës, ndërsa golaverazhi është thuajse i njëjtë me atë të Bluve të Londrës, 27-6 për të kuqtë, dhe 23-3 për të besuarit e trajnerit Tomas Tuhel. Pranë tyre edhe Mançester Siti me 20 pikë dhe golaverazhin 20-4, ndërsa Mançester Junajtidi ka zbritur në vendin e 7-të me vetëm 14 pikë.

Sfidanti.al