Në kampionatin shqiptar e vërteta është që skuadrat janë shumë pranë njëra-tjetrës, edhe për faktin se bëhen e zhbëhen thuajse çdo verë, si “Pëlhura e Penelopës”. Kështu ndodhi edhe në javën e 6-të me Superligën që “u ngrys piperkë, dhe u gdhi patëllxhane”. Në pritje të derbit, Kukësi u ngjit në krye dhe Dinamo iu afrua kret. Kuksianët mundën 2-0 Vllazninë me pretendime, edhe pse vazhdojnë të luajnë në fusha neutrale, këtë herë në stadiumin e Rrogozhinës. Taipi dhe Ndreca shënuan për ekipin e trajnerit italian, Longo, i cili jepej me “valixhe” në duar dhe tepër i nervozuar pas humbjes me Teutën. Sot e sheh veten në krye.
Dinamo ndërkaq nuk shpëtoi dot nga polemikat në fitoren 1-0 në Korçë ndaj Skënderbeut, me golin e realizuar nga Çinedu në 69’. Gjyqtari Andi Koçi mund të justifikohet se nuk e ndihmoi dot teknologjia, pasi VAR-i ishte me defekt këtë herë. Trajneri Memelli pretendoi se goli i bluve ishte faull për prekje të topit me dorë nga Skuka gjatë aksionit, ndërsa Dinamo pati pretendime për penallti. Sidoqoftë, përtej pretendimeve dhe VAR-it, bie në sy fakti se Dinamo kapërceu nga humbja 3-6 në Shkodër me Vllazninë, në fitore dhe në kuotën e 9 pikëve në renditje, vetëm 2 pikë momentalisht nga vendi i parë.
Sfidanti.al