Liverpuli pa Van Dajkun? Edhe Reali do të jetë pa Ramosin!

Në ndeshjen e parë këtë të martë është e sigurt që nuk do të luajë. Madridi merr një goditje të rëndë pasi kapiteni Sergio Ramos lajmëron se nuk do të mund të luajë javën që vjen në sfidën e fillimit ndaj Liverpulit në çerekfinalet e Championsit. Qendërmbrojtësi, që sapo ishte kthyer nga dëmtimi, ndjeu sërish dhimbje ndërsa luajti disa minuta në ndeshjen e Spanjës ndaj Kosovës në eleminatoret e Kupës së Botës (3-1).

“E vërteta është që kam pasur disa javë të vështira, – shkruajti 35-vjeçari në Instagram, – një operacion është gjithnjë një vuajtje e madhe sportive dhe emocionale. Prej ditësh ndihem më mirë, por në futboll ashtu si edhe në jetë fati të luan ndonjë rreng. Kam një dëmtim muskulor dhe për fat të keq nuk e ndihmoj dot ekipin në ndeshjet e ardhshme kaq shumë të rëndësishme”. Ramosi është në rrezik edhe për ndeshjen e kthimit në “Anfild” dhe Reali pa kapitenin ka dalë keq në Champions duke humbur 7 nga 10 ndeshjet e fundit. Liverpuli gjithashtu ka dëmtime dhe i mungon mbrojtësi më i mirë Van Dajk, si dhe shumë të tjerë.

Sfidanti.al