Liverpuli dhe 2 000 tifozët në “Anfild” mundën 4-0 Leisterin!

Duhej një reagim pas fitores së derbit londinez nga Totenhemi, dhe ai erdhi. Liverpuli, i ndihmuar nga kthimi i pjesshëm i tifozëve në “Anfild” (2 000 në tribuna), arriti një fitore të madhe në një ndeshje që parashikohej tepër e vështirë, ndaj një ekipi të fortë si Uolvesi. Përfundoi 4-0 me golat e shënuar nga Mohamed Salah në 24’, Georgino Vajnaldum në 58’, Zhoel Matip në 67’ dhe Nelson Semedo (autogol) në 78’. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop ka 24 pikë, po aq sa Totenhemi i Murinjos, ndonëse mbetet në vend të dytë për shkak golaverazhi.

Liverpuli e ndjeu shumë praninë e publikut, sidomos në tribunën e famshme “Kop”, por po ashtu tregoi se çfarë “kocke e fortë” që është. Edhe pse munguan portieri Alison dhe qendërmbrojtësit Van Dajk e Gomez, dhe mesfushorët Tiago Alkantara e Milner (ndërsa Aleksandër-Arnold hyri në 22 minutat e fundit), sërish asnjë e metë nuk u duk në lojën e të kuqve. Presing i plotë, qarkullim topi me memorie dhe saktësi para portës. Vendasit mbajtën topin 61 për qind, ndonëse gjuajtjet ishin pranë e parë: 11-9 drejt portës dhe 6-3 në kuadrat.

“A nuk ishte një fitore e përsosur? – tha Klopi në formë pyetje në fund të ndeshjes, – sido që të ishte koha jashtë, këtu në stadium shkëlqente dielli. Tifozët më dhanë emocione shumë të forta, po më merrej fryma. Nuk e paskemi ditur se çfarë vlerë paska pasur normaliteti. Ne luajtëm shkëlqyeshëm, (portieri) Kelleher u tregua shumë i pjekur, shumë i qetë”. Formacioni: Kelleher, N. Uilliams (Aleksandër-Arnold 68’), Matip, Fabinjo, Robertson, Xhons, Henderson (Keita 81’), Vajnaldum, Salah, Firmino (Zhota 73’), Mane.

Sfidanti.al