Asnjë humbje nga rifillimi pas Kovidit, çfarë e bën Milanin kaq të fortë?!

Data 22 qershor e këtij viti duket tepër e largët. Ishte një moment çlirimi për futbollin italian që rifilloi me Serinë A pas ndërprerjes së koronavirusit (që nga 8 marsi), por më shumë se për këdo tjetër ishte një çlirim për Milanin. Kur bën llogaritë sot, në 7 dhjetor, të del se kuqezinjtë e trajnerit Stefano Pioli nuk kanë humbur asnjë ndeshje në Serinë A që nga 22 qershori, duke fituar 17 e barazuar 5, ndërsa golat i kanë 58-21, pra diçka më pak se 3 të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar.

Milani e tregoi në stadiumin “Marasi” ndaj Sampdorias sesa shumë ka ecur përpara, edhe pse ishte pa “komandantin” Ibrahimoviç. Frank Kesi me penallti në 45’ dhe Samu Kastijeho në 77’ ishin autorët e golave për fituesit, ndërsa dorianët e bënë ndeshjen interesante në fund kur shkurtuan shifrat me anë të Albin Ekdalit. E vërtetë që Sampdoria ishte e dobët pasi ishte pa fituar që nga 22 tetori, dhe kishte marrë vetëm 2 pikë në 15 ndeshje, por pikërisht për këtë ishte edhe më e rrezikshme.

Gjithsesi, siç thekson “La Gazeta delo Sporti”, trajneri Pioli e ka mësuar Milanin që të jetë qëndrestar, të jetë konkret, të dijë të përballojë momentet e vështira dhe të ketë besim tek vetja. Drejtori sportiv, Masara thekson: “Pioli është një lider i vërtetë, do të përpiqemi ta forcojmë ekipin duke marrë Dalonë dhe Diazin”. Edhe mbrojtësi danez, Kjer, vlerëson trajnerin: “Lutesha që të ishim me Piolin, që të mos vinte Rangniku”. Milani ka 26 pikë ndaj 21 të Interit, e pastaj 20 të Napolit e të Juventusit.

Sfidanti.al