Liga e Konferencës, sot provojnë fatin Partizani dhe Laçi!

Tirana e humbi të parën, por shpresojmë që sot të qëllojmë në shenjë. Partizani e Laçi luajnë në Ligën e Konferencës, një ditë pas sfidës së bardhebluve në Champions, dhe të kuqtë kanë bërë përgatitjet e fundit në Gjeorgji. Skuadra zhvilloi seancën stërvitore në kryeqytetin Tbilisi, përpara duelit të sotëm të orës 18:00 në stadiumin e Gorit ndaj Saburtalos. Mungesa e vetme e madhe është ajo e kapitenit Alban Hoxha, ndaj edhe në portë pritet të luajë Teqja, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë Rexhepi. Trajneri Dritan Mehmeti la Romeron në Tiranë, pasi nuk ishte gati fizikisht, ndërsa Atanaskoski dhe Skuka i kanë kaluar problemet fizike dhe do të luajnë rregullisht.

“Ne kemi objektiva të qarta për vetë emrin e Partizanit dhe tifozët, – theksoi Mehmeti, – duam që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të arrijmë kualifikimin. Nuk dua të komentoj nëse është mirë për ne që ndeshja e dytë luhet në Shqipëri. Duhet të përqëndrohemi tek e para”.

Laçi, ndërkaq, pret Iskrën e Malit të Zi, në orën 20:00 në “Elbasan Arenë”. Pavarësisht ndryshimeve në krahasim me sezonin e kaluar, trajneri Shpëtim Duro ka besim se kualifikimi mund të arrihet. Tekniku ka theksuar se pjesa më e madhe e ekipit është ruajtur, dhe se kurbinasit kanë përvojë në Europë pasi u kaluan dy raunde verën e kaluar. Nga Laçi janë larguar mesfushorët e rëndësishëm Shehu e Deliu, por Duro ka besim tek futbollistët që ka.

Sfidanti.al