Lejkërsat kampionë të NBA-së, Lebroni fiton titullin e tij të 4-ët!

Nuk do të ketë dot aq “unaza” sa Bill Rasëll, e ndoshta nuk do t’i arrijë 6 ligat e fituara nga Majkëll Xhordani, por gjithsesi ai është një kampiont krejt i veçantë. Lebron Xhejms fitoi titullin e 4-ët të karrierës në NBA, dhe Los Anxhelos Lejkërsat barazuan rekordin e kampionateve të fituar nga Boston Sëlltiks, 17, pas ndeshjes së gjashtë finale ndaj Majemit. Dueli në Florida përfundoi 106-93 për kampionët e rinj, ndonëse ky rezultat nuk tregon gjithçka. Do të duhej të shtonim që Lejkërsat kryesuan në fund të pjesës së parë 64-36, një diferencë që nuk mund të përmbysej. Vetë Lebroni pati 28 pikë, 14 topa në tabela e 10 asistë, pra e festoi titullin me një tripëll dabëll. Entoni Dejvis shtoi 19 pikë, po aq sa veterani Rondo. Për Majemin, më i miri këtë herë nuk ishte Xhimi Batler, që u mbulua fort e shënoi vetëm 12 pikë, por Bam Adebajo me 25 pikë e 10 topa në tabela.

Lebroni tani ka dalë kampion me tri skuadra të ndryshme, diçka që askush nuk e ka bërë në NBA. Lejkërsat u kthyen tek fitorja e madhe pas 10 vjetësh, dhe 10 muaj pas vdekjes së ikonës së klubit Kobi Brajant, duke ia kushtuar suksesin pikërisht atij. Xhejmsi doli Lojtari më i mirë i finaleve, për herë të katërt në karrierë, duke konkurruar vetëm me Majkëll Xhordanin. Ai ka luajtur 260 ndeshje në plej of, më shumë se çdo lojtar tjetër të NBA, ka qenë 16 herë në ekipin e parë të NBA-së (një rekord) dhe 16 herë në Ndeshjen e Yjeve (një rekord). Ai ka 55 ndeshje në finalen e madhe të NBA-së, ndërsa përpara tij janë Bill Rasëll me 70, Sam Xhons me 64 dhe Karim Abdul Xhabar me 56. Lebroni do të synojë të fitojë sërish tituj me Lejkërsat për të mbërritur 6 kurorat e Majkëll Xhordanit.

Sfidanti.al