Tani nuk është e vështirë të vihet re një rritje artificiale e interesimit për ndeshjet e Kombëtares dhe gjithçkaje që ndodh rreth saj, pavarësisht se po lujmë ndaj kundërshtarëve si Kazakistani dhe në një kompeticion që nuk të dërgon askund. Kjo është ajo çfarë na ka mbetur, për të thënë që edhe ne po vazhdojmë të lujmë futboll, pasi atë të brendëshmin që e ndiqnim çdo ditë, dikujt i ka shkuar mendja ta e fusë në karantinë, sikur rreth të tij të ekzistojë një virus më i egër edhe se Covid-19. Tek ne, siç ndodh rëndomë shumë shpesh, udhëtohet në krah të kundërt të Europës. Kështu, në kulmin e pandemisë u kërkua me ngulm nga FSHF-ja hapja e stadiumeve për rifillimin e aktivitetit, ndërsa tani kur kontinenti po mendon të hapë dyert edhe për tifozët, u urdhërua me arrotgancë një bojkot pa afat. Dhe ne na ka mbetur nga futbolli, të ndjekim se si dënohen 4-5 futbollistë titullarë të Kombëtares, pasi kanë marrë pjesë në fejesën e Roshit, të shohim se si plotësohet skuadra me të rinj dhe në fund të dëgjojmë tekstin e përhershëm të së njëjtës këngë, sipas të cilit edhe këtë rradhë na mungoi fati.
Ndërsa situate e brendëshme që nuk ka gjasa të zgjidhet me dashamirësi, pasi është kthyer në një ndeshje personale midis dy personazhesh, dhe nuk po bën tjetër, veçse po ndikon për t’I rënuar edhe më shumë klubet, megjithëse qëllimi i bojkotit ishte për të sensibilizuar qeverinë t’i ndihmojë. Gjatë kësaj periudhe që askush nuk luan futboll është folur çdo ditë për merkato të kushtueshme dhe për seanca stërvitore që tashmë për trajnerët po kthehen në raskapitëse. Ndërkohë që do të jenë të pashmanshme ndryshimet në formulën e edicionit, të cilat do të penalizojnë drejtpërdrejtë futbollistët.
Duket qartë, që dikujt tani ky bojkot i ka mbetur në dorë dhe kërkon t’i zgjidhë problemet me nervozizëm. Në Kategorinë e Parë, pasi u fol shumë për skuadra që do të përjashtohen nga gara, pasi nuk i plotësojnë kushtet e liçnsimit dhe pritej që t’i ktheheshim skemës klasike me sistem vajtje-ardhje, gjithçka përfundoi si të gjitha shfaqet e rradhës. Askush nuk e ndëshkua, ashtu siç ndodhi edhe një sezon më parë me Flamurtarin dhe Luftëtarin, si dhe do të kemi një kampionat të ndarë në dy grupe me nga nëntë ekipe. Ndërsa e e veçanta është, se u përcaktua kalendari, por jo datat kur do të luhet. Pra edhe këta të tjerët janë në bojkot nga halli, madje pas 100 vjetësh askush nuk vendos më vetë për fillimin e lojës.