Legjenda pa fund Federer, të dielën për titull ndaj Gjokoviçit

A mundet që në moshën 37-vjeçare të hedhësh poshtë ligjet e fizikut njerëzor dhe të luftosh për trofeun më të rëndësishëm në sportin tënd? Rozher Federer, njeriu që habiti kaq shumë duke u bërë më i madhi i të gjitha kohëve në tenis pa pasur një trup të vërtetë atletik, sfidoi sërish gjithçka dhe u kualifikua për në finalen e Grand Slemit më të vjetër të botës, atij të Uimbëlldonit.

Mënyra sesi e bëri dhe rivali që kaloi për t’ia arritur, e madhështojnë edhe më shumë famën e zviceranit që duket sikur ka ndaluar kohën, pavarësisht se vitet ecin. Federer mposhti rivalin e tij më të madh në karrierë, Rafael Nadalin, duke fituar 3-1 në gjysmëfinale, e duke u kualifikuar për në finalen e 12-të të tij në Londër. Do të kërkojë të shtojë legjendën, të fitojë titullin e 9-të në “Oll Inglënd Klab”, edhe pse përballë do të ketë rivalin tjetër më të madh, Novak Gjokoviçin. Nëse ia arrin, do të barazonte rekordin absolut, që mbahet nga Martina Navratilova me 9 trofe.

Federeri kaloi ndaj spanjollit 33-vjeçar 3-1 me sete, 7-6, 1-6, 6-3 e 6-4, ndërsa ishte më shumë i qendrueshëm sesa Rafa. Pavarësisht moshës, shpejtësisë e fizikut të Nadalit, ai ruajti qetësinë dhe tregoi epërsinë si specialist në fushat me bar. “Jam i shteruar, – tha zvicerani pas ndeshjes, – ishte shumë e vështirë. Rafa luftoi fort deri në fund, por pikët më të rëndësishme ishin në anën time. Ndaj Novakut do të jetë po ashtu e vështirë, pasi ai ka luajtur një Uimbëlldon të madh”.

Gjokoviç mundi po 3-1 spanjollin Roberto Bautista Agut, duke e pasur pak më të lehtë. Setet ishin 6-2, 4-6, 6-3, 6-2 në favor të serbit që do të kërkojë titullin e 5-të në Uimbëlldon, ndërsa arriti finalen e 25-të Grand Slem. Në finale, Federer mund të fitojë titullin e 21-të të Çmimit të Madh në karrierë, ndërsa Gjokoviç të 16-in.

Sfidanti.al