Lamtumira, Botërori e 30 milionë në Kinë, formula e Iniestës

Largimi i tij do të pritet në mënyrën më dramatike në “Kamp Nou” që nga koha e ikjes së Ksavit. Andres Iniesta padyshim do të jetë një nga legjendat e përcjella me më shumë lavdi nga publiku i Barcelonës, kur të deklarojë “divorcin” me fanelën “blaugrana”. Pasi i dhembi si askujt tjetër katastrofa e Championsit në Romë “Don Andres” nuk ka rrugë tjetër përveçse të mbyllë sezonin në mënyrë shembullore, të fitojë edhe dy trofe të tjerë, si dhe të thotë lamtumirë.

Pas sezonit me klubin, do të vijë Botërori i Rusisë me Spanjën, turneu i tij i madh i fundit në karrierë, ndërsa më pas do të kalojë jo Oqeanin, por kontinentin EuroAziatik për të shkuar në Kinë. Opcionet janë dy, Tiançian Kuançian (Tianjian Quanjian) ose Çonçin Dandai (Chongqind Dangdai), ndërsa rroga në çdo rast besohet se do të ishte 30 milionë euro në sezon.

Në tetor, Andres thoshte se “mund të kem kontratë përjetë me Barçën”, por dalë nga dalë gjithçka ndryshoi dhe së fundi, ai u shpreh se “e di se cila do të jetë e ardhmja ime”. Padyshim, nuk do të jetë me Barçën.

Sfidanti.al