“Jemi mjeshtër për komplikacione”, për kë e ka Murinjo?

Si përherë, di t’i zgjedhë fjalët dhe të jetë mediatikisht thuajse perfekt. Zhoze Murinjo e kthen në sukses personal qoftë edhe një humbje, veçse trajneri portugez e di mirë se në Premier Ligë nuk po lufton për imazhin, por për fitoret e tij sportive. “Ne jemi mjeshtra për komplikacione”, – tha ai shqeto pasi Mançester Junajtid pësoi disfatë në “Old Traford” nga ekipi i fundit në renditje, Uest Bromi, duke lejuar që Mançester Siti të shpallej kampion që të dielën.

“Lojtarët e mi lejuan që fitorja në derbi t’u binte në kokë si ndonjë pije alkoolike dhe ndodhi kjo që ndodhi”, – vazhdoi Zhoze, duke e quajtur të merituar humbjen. Gjithsesi, ka shumë kritika në Angli, ndërsa Murinjo ftohet që të marrë pjesën e tij të fajit në dështimin e ekipit, dhe jo ta hedhë atë vetëm në kurriz të lojtarëve të tij. Gjithsesi, portugezi mbrohet edhe ndaj këtij sulmi.

“Unë i njoh ata (lojtarët e mi), – vazhdoi ai, – unë kam shumë përvojë në karrierë, dhe nuk është faji im për këtë që po ndodh pasi unë kam fituar 8 tituj. Unë nuk fluturova mbi re thjesht sepse fitova një derbi ndaj Sitit, një ndeshje që vlen vetëm 3 pikë”. Gjithsesi, Murinjo nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë sepse nuk ia doli ta ndryshonte mentalitetin e lojtarëve gjatë një jave.

Sfidanti.al