Lacio fiton, Strakosha nuk pëson, por racizmi rëndon!

Është një nga skuadrat më të mira të Italisë dhe të Europës, ka një nga sulmuesit më simpatikë dhe një nga portierët-zbulim të kontinentit, veçse Lacio i ka disa halle. Njëri prej tyre quhet racizëm, që shkaktoi mungesën e tifozëve në Tribunën e Veriut të stadiumit “Olimpiko” në fitoren 3-0 ndaj Kaljarit. i bukur triumfi, dhe e bukur renditja me 22 pikë, vetëm 3 më pak se Napoli kryesues, veçse e rëndë pamja e tribunës bosh. Ultrasit u dënuan nga Disiplina sportive për shkak të koreve raciste ndaj lojtarëve me ngjyrë të Sasuolos, Axhapong dhe Dankën.

Çiro Imobile shënoi dy gola, njërin prej tyre me penallti, dhe Bastos të tretin me të nisur pjesa e dytë, por u desh edhe Strakosha më i mirë që Lacio të mos pësonte gol. Portieri shqiptar bëri të paktën 2 pritje të shkëlqyera, ndërsa shpesh herë bëri dalje vendimtare si dhe u koordinua më së miri me mbrojtjen. Kjo, vetëm një ditë pasi iu rinovua kontrata me dhjetëfishim të rrogës, tani deri në 1 milionë euro në sezon.

Sfidanti.al