Hamilton si “macja me miun” me Fetelin, por titulli duhet të presë!

Ljuis Hamilton u parakaluar që në fillim nga Sebastian Fetel, pastaj shpejt e shpejt e kapi dhe e parakaloi rivalin e tij, ndërsa më pas pati vetëm një shqetësim në Çmimin e Madh të SHBA-së në Ostin. Nën qiellin e pastër të Teksasit, anglezi realizoi profecinë e radhës, pra një tjetër fitore të tij, edhe pse titullin kampion nuk e fitoi në këtë atmosferë të jashtëzakonshme.

Prezantuesi i famshëm i boksit, Majkëll Bafer, thirri me emër të gjithë pilotët (arriti deri aty sa Raikonenin e quajti “ai që qesh gjithnjë”), Usain Bolt bëri pozën e tij legjendare përpara makinave, në vijën e nisjes, ndërsa presidenti i 42-të të i SHBA-së, Bill Klinton ishte edhe ai për të përshëndetur. Për habi mungoi një “zot shtëpie”, Xhorxh Bushi, pasi ai është nga Teksasi, por ndoshta “ashtu e kishte një punë”.

Gjithë ky spektakël sikur e hutoi pak Hamiltonin, por jo për shumë gjatë, pasi ai u kujtua se është piloti më i mirë tani për tani, dhe ka në dispozicion makinën më të mirë. Parakaloi Fetelin, përballoi një sfidë momentale të gjermanit të Ferrarit dhe nuk pati punë me ndjekësit derisa kaloi vijën e cakut.

Duhet vetëm vendi i pestë në Meksikë që 32-vjeçari të fitojë titullin e katërt në karrierë. Hamilton ka 331 pikë ndaj 265 të Fetelit. Në SHBA, ndërkaq, mbetet “mbret”, pasi ka fituar pesë nga gjashtë garat e zhvilluara aty. Nëse piloti ende pret, Mercedesi nuk ka përse, sepse skuadra gjermane e fitoi titullin për konstruktorët me 575 pikë ndaj 428 të Ferrarit.

Hamilton, pasi mori trofeun dhe hapi shampanjën,bëri shaka me Usain Boltin, që e shoqëroi në podium: “Po përpiqem të të kaloj ty, pasi ti ishte i pari në nisje”. Më pas shtoi se “nuk prisja të kisha aq shumë diferencë ndaj Fetelit, por makina ishte e shkëlqyer, tani ka edhe 3 gara që duhen fituar”.

Sfidanti.al