Lamtumira e Canës dhe i kuqi i Nejmarit, Marseja trondit PSG-në!

Lamtumirën e parë dhe më të rëndësishme e bëri në Shqipëri-Itali, ku u quajti si “nga fshati i gruas”. Lorik Cana u tregua “nga fshati i tij”, kur bëri lamtumirën e dytë, atë tek Olimpiku i Marsejës ku luajti për 4 sezone dhe ku ishte kapiten. Shqiptarit të Kosovës, ish-kapiten i kombëtares sonë, iu rezervua një ceremoni e rëndësishme, së bashku me Zhibril Sisenë, pasi ajo u zhvillua në prag të kryendeshjes së ligës franceze, OM-Paris SG.

Stadiumi “Velodrom” i mbushur plot e përplot, dhe i ndezur flakë, brohoriti jo vetëm legjendat e vjetra, por edhe ato të rejat. Përballja ishte e jashtëzakonshme dhe trajneri Rudi Garsia mundi të thoshte krenar në fund se “treguam se çfarë mund të bëjmë”. Një barazim 2-2, që mund të kishte qenë fitore e vendasve, por që i shpëtoi nga duart vetëm në fund.

Luiz Gustavo shënoi golin e parë për OM-në, Nejmar barazoi në 33’, por Florian Tove (Thauvin) kaloi sërish marsejezët përpara në 78’. Kur kishin mbetur edhe 3 minuta, Nejmar humbi arsyen dhe u përjashtua me karton të kuq, pasi shtyu një kundërshtar, por PSG e tregoi se çfarë kampionët ka në përbërje. Edinson Kavani barazoi në frymën e fundit, në një përballje ku Kilian Mbape nuk ishte ai i zakonshmi. Me këtë barazim, parizienët mbeten në krye me 26 pikë ndaj 22 të Monakos, 20 të Nantës, 19 të Lionit dhe 18 të Marsejës.

Sfidanti.al