Pamja nga larg ishte spektakolare, por edhe e tmerrshme. Një luftë e vërtetë shpërtheu në dyert e kompleksit sportiv të Olimpikut të Marsejës kur qindra tifozë sulmuan të zemëruar pa masë nga rezultatet e fundit të skuadrës. Tifozët hodhën fishekzjarrë dhe lëndë ndezëse, protestuan zhurmshëm kundër ekipit, trajnerit Vijas Boas, por sidomos kundër presidentit Zhak-Henri Irod (Eyraud). Shpërthimi i ultrasve ishte i habitshëm për faktin se OM nuk i ka humbur shanset për sukses këtë sezon, pavarësisht eleminimit nga Championsi, ndërsa kishte vite pa qenë kaq mirë.
Duket se gjendja ekonomiko-shoqërore e shtresave të varfra, nga ku dalin edhe ultrasit, është duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë, sidomos tani në kohën e pandemisë së koronavirusit. Mbi 40 000 apartamente raportohen në gjendje të keqe në qytetin e dytë më të madh të Francës dhe ato rrezikojnë 100 000 njerëz.
Marseja është në vendin e 6-të në renditje, pas një fillimi të mirë e me pretendime, ndërsa rrezikon të mbetet jashtë zonës që të kualifikon të paktën për në Ligën e Europës. Ekipi u kthye këtë edicion në Champions pas një mungese 6-vjeçare dhe shpresat ishin të mëdha për një kthim në kohët e dikurshme, por duket se kjo gjë nuk ka për të ndodhur.
Sfidanti.al